INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
A do t’i djegin mandatet deputetët? Basha zbulon 3 skenarët

A do t’i djegin mandatet deputetët? Basha zbulon 3 skenarët

Publikuar më: 00:42 22-12-2017

Lulzim Basha ka zbardhur mbrëmjen e sotme tre skenarët e opozitës pas votimit në Parlament të Kryeprokurores së përkohshme. Duke folur në emisionin “Opinion”, Basha tha se Partia Demokratike po diskuton tre skenarë për momentin.
Sipas tij, opsioni i parë është pjesëmarrja në Kuvend dhe bllokimi i punimeve të tij. Sipas kreut të PD, kjo synon kthimin e qeverisë në kushtetueshmëri. Basha tha se përmes këtij bllokimi, kusht për t’iu rikthyer normalitetit është rizgjedhja e Kryeprokurorit të Përkohshëm.
“Kjo është në aspektin formal sepse shumica parlamentare ka kryer një krim kushtetues” – tha Basha.

Nga ana tjetër, kreu i PD shpalosi opsionin e dytë që lidhet me një bojkot total dhe me afat të pacaktuar. Por ai tha se disavantazhi për opozitën do të ishte i madh. Pasi, sipas tij, duke qenë jashtë Kuvendit do të ishte e pamundur bllokimi i seancave.

Ndërkohë, Lulzim Basha ka shpalosur edhe opsionin e tretë. Kreu i demokratëve tha se propozimi i Berishës për të djegur mandatet, është një mundësi. Por, sipas tij Partia Demokratike nuk mund ta bëjë e vetme këtë hap pa bërë edhe LSI të njëjtën gjë.
“Djegia e mandateve opozitare ka disa aspekte. Kjo duhet të kryhet nga e gjithë opozita, jo vetëm nga Partia Demokratike. Nëse e bëjmë këtë, i bëjmë të qartë faktorit ndërkombëtar se ka pushuar së ekzistuari pluralizmi” – tha Basha.
Por më herët, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi është shprehur kundër idesë për djegien e mandateve të deputetëve.

Article Logic
Execution time: 0.0040898323059082